Ministri i shtetit për Diasporën, Pandeli Majko bëri të ditur në Kuvend se në vitin 2021 buxheti i qeverisë do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për miratimin përfundimtar të librave të kurrikulës së re për arsimin në Diasporë në bashkëpunim dhe me Kosovën.
Ai tha se buxheti i vitit 2021 do të vazhdojë të furnizojë shkollat shqiptare në Diasporë për të tretin vit rradhazi me libra falas.
“Këtë vit filloi edhe botimi i librave dygjuhësorë të cilat ndihmojnë fëmijët ti përshtaten më mirë mësimit të gjuhës amtare”, bëri të ditur ai.
Duke u ndalur te Bursa për studentët me origjinë shqiptare, të cilat jepen për herë të parë nga shteti shqiptar ai tha se edhe në vitin 2021 Shqipëria do ti mundësojë këto bursa.
Përsa i përket të drejtë së votë së emigrantëve, ministri Majko tha se janë miratuar kërkesat e Rezolutës së Kuvendit ““Për Reformën e Politikës Shtetërore për Diasporën” e miratuar në datën 23.07. 2018”.
“Me miratimin e të Drejtës së Votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit në ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë u realizua trajtimi zbatimit ligjor, një detyrim i rëndësishëm i reformës shtetërore për diasporën shqiptare”, u shpreh ministri.
Kuvendi miratoi pak minuta më parë në parim projekt-buxhetin për 2021, 87 deputetë votuan pro.
Fjala e plotë:
I nderuar zoti Kryetar
Të nderuar deputetë
Miratimi në parim i buxhetit të vitit 2021 është një përmbledhje e qartë e asaj që po ndodh me reformën shtetërore për Diasporën shqiptare.
Me miratimin e këtij buxheti Kuvendi i Shqipërisë do të konfirmojë së reforma strukturore e politikës shtetërore për diasporën shqiptare është realizuar.
Buxheti i vitit 2021 do të vazhdojë të furnizojë shkollat shqiptare në Diasporë për të tretin vit rradhazi me libra falas. Këtë vit filloi edhe botimi i librave dygjuhësorë të cilat ndihmojnë fëmijët ti përshtaten më mirë mësimit të gjuhës amtare.
Në vitin 2021 buxheti i Shqipërisë do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për miratimin përfundimtar të librave të kurrikulës së re për arsimin në Diasporë në bashkëpunim me Republikën e Kosovës.
Në vitin 2021 Shqipëria do të japë bursa për studentët shqiptarë nga komunitet shqiptare të diasporës dhe komunitetit arbëresh.
Vitin që vjen, do të hapet shkolla verore e projektit “Jam Shqiptar” cila do të ftojë fëmijët e Diasporës për të krijuar kujtimet e tyre për vendin e origjinës.
Buxheti i vitit 2021 do të miratojë financimin për katër agjencitë shtetërore të cilat nuk ekzistonin në vitin 2017. Ato janë:
Agjencia Kombëtare e Diasporës
Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës
Qendra e Botimeve për Diasporën
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Brenda tre viteve janë miratuan dy strategji kombëtare për Diasporën. Kjo i dedikohet shpejtësisë së ndryshimeve të realizuara. E miratuar 2 vite më parë, Strategjia Kombëtare e Diasporës 2018 – 2024 ishte e para e llojit të vet në aplikim. Pritshmëritë e saj u realizuan më shpejt se sa parashikohej dhe hapi rrugën për synimet e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2021 – 2025 të miratuar në vitin 2020 të Këshillit të Ministrave.
Gjatë kësaj periudhe tre-vjeçare në Kuvendin e Shqipërisë u krijua Nënkomisioni parlamentar për Diasporën dhe Migracionin i cili vepron brenda Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Politikën e Jashtme.
Në pushtetin ekzekutiv u krijua Komiteti Shtetëror për Diasporën i cili është organ konsultativ i Këshillit të Ministrave për bashkërendimin e politikave dhe aktiviteteve shtetërore në fushën e Diasporës.
Në pushtetin lokal me ndryshimin e Ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” pranë çdo bashkie të vendit do të ngrihet struktura administrative për Diasporën dhe migracionin në bashkitë e vendit. Ato do të ofrojnë shërbime dhe informacion për të interesuarit.
Një rendësi të veçantë ka pasur bashkëpunimi i ngushtë me Republikën e Kosovës. Midis dy shteteve janë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për politikat e përbashkëta për Diasporën shqiptare. Janë në proces marrëveshjet e bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për të koordinuar me institucionet përgjegjëse të tyre të drejtat e Diasporës shqiptare në vendlindje.
Gjatë vitit 2020 dhe në vazhdim ka filluar procesi i emërimit me nga radhët e komuniteteve shqiptare në diasporë në trupat diplomatike.
Me miratimin e buxhetit të vitit 2021 do ti hapet rruga trajtimit të ri të informacionit për studentët që studiojnë jashtë vendit. Kjo bazë të dhënash do të administrohet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës.
Për çështjen e sigurimeve shoqërore është emëruar Koordinatori Shtetëror për marrëveshjet shtetërore në fushën e sigurimeve për shtetasit shqiptar jashtë vendit. Si koordinator shtetëror është caktuar zëvendës ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Me ndryshimin e Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, u përjashtuan nga tatimi mbi të ardhurat nga pensionet dhe shpërblimet e tjera të ngjashme për shtetasit të huaj me origjinë shqiptare me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë të cilat i kanë përfituar në vendet e migrimit.
Për personat të cilët vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit është ngritur një grup të pune i posaçëm dhe është caktuar koordinatori shtetëror për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit. Ai është caktuar të jetë zëvendës ministri i drejtësisë.
Në fushën e biznesit dhe ekonomisë u financua krijimi i Dhomës së Biznesit të Diasporës. Marrëveshja me shtetin e Kosovës parashikon edhe krijimin e Bankës së Diasporës.
Në fushën e informimit është emëruar Koordinatorit Shtetëror për informimin e Diasporës.
Të nderuar deputetë
Me miratimin e të Drejtës së Votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit në ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë u realizua trajtimi zbatimit ligjor, një detyrim i rëndësishëm i reformës shtetërore për diasporën shqiptare.
Me miratimin e këtij buxheti kam kënaqësinë tu informoj se kërkesat e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për Reformën e Politikës Shtetërore për Diasporën” e miratuar në datën 23.07. 2018 janë plotësuar.
Ju ftoj të miratojmë buxhetin e vitit 2021.
Ju faleminderit!