Avokati i Jakup Krasniqit, Valon Hasani, ka bërë të ditur se pas konfirmimit të aktakuzës nga ana e Dhomave të Specializuara në Hagë, Krasniqi është arrestuar dhe pritet të bëhet transferimi i tij për në Hagë.
Arrestimi i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është bërë pas rreth dhjetë orësh të qëndrimit të pjesëtarëve të Prokurorisë së Specializuar të Hagës në shtëpinë e tij në Prishtin.
“Prokuroria e specializuar ka pasur një aksion dhe në bazë të urdhrit i cili është lëshuar nga ana e Dhomave të Specializuar është bërë arrestimi i Jakup Krasniqit, dhe tani sapo është nisur në Hagë. Është konfirmuar aktakuza kundër tij dhe pritet shumë shpejtë të caktohet seanca”, ka deklaruar avokati Hasani.
Hasani deklaroi se veprat për të cilat dyshohet Krasniqi, nuk janë të specifikuara, por janë në kuadër të veprave të cilat bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Dardan Krasniqi, familjar i Jakup Krasniqit, tha se po ashtu është bastisur edhe shtëpia e Krasniqit në Negroc.