• December 4, 2020
0 Comments

Deklarata kërcënuese dhe mjaftë serioze kanë ardhur sot nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ky i fundit, po paralajmëron se mos-zgjidhja e çështjes me Kosovën mund të kulmojë me një konflikt të ri.

Të gjitha këto deklarata, po vijnë në një kohë kur krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi gjenden në Hagë duke u përballur me drejtësinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq zgjodhi një moment mjaft të komplikuar dhe të rëndë për Kosovën, që ta paralajmërojë këtë të fundit se mund të ketë sërish punë me Serbinë nëse nuk ka zgjidhje përmes dialogut. Këtë veprim, i pari i presidencës serbe, dikur ministër i “kasapit” të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, e bëri në kohën kur krerët e UÇK-së po përballen në Hagë me drejtësinë.

“Është e rëndësishme t’iu them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment. Situata me Kosovën nuk do të jetë e lehtë në muajt e ardhshëm. Nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë konfliktin e ngrirë”, deklaroi ai. Pas këtyre paraleleve që Vuçiq i tërhoqi me konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, Vuçiq tha se është për një zgjidhje paqësore përmes rrugëve diplomatike.

“Mesazhi më i rëndësishëm për ne është mesazhi i paqes dhe dialogut. Ne duhet të kujdesemi për të ardhmën e fëmijëve tanë”, deklaroi tutje Vuçiq. Kërcënimet për luftë nga Vuçiq vijnë në periudhën kur krerët e luftës së fundit në Kosovë, Kadri Veseli, Hashim Thaçi e të tjerët janë në Hagë, në përballje me drejtësinë. Të lartëpërmendurit, e sidomos Thaçi e Veseli, gjatë kohës që kishin funksione zyrtare në Kosovë, jo rrallë herë kishin pasur përgjigje të ashpra për Vuçiqin. Madje Veseli, para pak kohësh kishte nisur iniciativë për krijimin e një Tribunali për dënimin e krimeve serbe. Ai kishte paralajmëruar se “kriminelët serbë”, nuk do të mund t’i ikin drejtësisë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

Në lidhje me këto deklarata që vijnë nga presidenca serbe ka pasur edhe reagime në Kosovë, mirëpo që pritet të shihet nëse të njëjtat do ta bijnë në veshin e ndërkombëtarëve, nga të cilët edhe është kërkuar të reagohet.

Author

admin@nacionalalbania.al