Në konferencën statusore apo të ecurisë së çështjes pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka kërkuar që gjykimi nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nisë jo më herët se në verën e vitit 2022. Gjatë kësaj seance, mbrojtja paralajmëroi se do të aplikojë për lirim me kusht të të pandehurve.
Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, David Hooper dhe ai i ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ben Emmerson, thanë se ju duhen të paktën 18 muaj që të kryejnë hetime, në mënyrë që të përgatisin mbrojtjen.
Emmerson tha se mendon se gjykimi mund të zgjasë deri në dy vjet.
Hooper poashtu e quajti “absurde” pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që gjykimi të nisë në qershor të vitit 2021. Ai tha se mbrojtjes i duhet që të ketë qasje në një aktakuzë që ka shkallë më të vogël të redaktimit dhe “materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtjen”.
Avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit Venkateswari Alagendra dhe ai i Rexhep Selimit, David Young po ashtu thanë se iu duhet kohë e mjaftueshme që të mund të kryejnë hetime të thella.