Marrëveshje Për Sigurimet Shoqërore, Ministri I Jashtëm I Zvicrës Në Tiranë

Zvicra dhe Shqipëria janë duke diskutuar mbi rëndësinë e mbylljes së marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe ngritjen e një komisioni të përbashkët ekonomik.

Ka qenë kjo tema e diskutimit mes ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaja me homologun zviceran Ignazio Cassis, gjatë vizitës së këtij të fundit ditën e sotme në Tiranë.

Të dy ministrat vlerësuan ndërveprimin dypalësh me theks të veçantë punën e mirë për zbatimin e strategjisë së bashkëpunimit 2018-2021, si një strategji që i jep përparësi punës së përbashkët, sa i përket qeverisjes demokratike, zhvillimit ekonomik, infrastrukturës dhe shëndetësisë.

Shqipëria dhe Zvicra gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyer në rrafshin e diplomacisë shumëpalëshe, veçanërisht në OSBE. Gjithashtu, ministri Cakaj bëri me dije se me Zvicrën tashmë është këmbyer mbështetja për kandidaturat e dy vendeve si anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Për më tepër, Cakaj dhe Cassis u dakordësuan për të thelluar bashkëpunimin teknik dhe institucional edhe në këtë drejtim.

“Përndryshe, të dy shprehëm gëzimin e pamasë që në pesëdhjetë vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, bashkëpunimi mes nesh është jo vetëm jashtëzakonisht i mirë, por edhe gjithnjë në rritje e sipër.” – u shpreh Cakaj.

Cakaj i shprehu mirënjohjen Zvicrës për mbështetjen e pakursyer dhënë Shqipërisë ndër vite, përfshirë procesin e rindërtimit pas tërmetit dhe procesin e menaxhimit të pandemisë COVID-19. (GDSH)

By admin