Nga varreza në Serbi deri te vendi i krimit të luftës në Kosovë
Iva Martinoviq
Gurorja “Kizhevak“ në Komunën e Rashkës, në afërsi të kufirit me Kosovën, është lokacioni i pestë në Serbi, në të cilin janë gjetur mbetjet mortore, siç dyshohet, të civilëve shqiptarë të vrarë gatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.
Ende nuk dihet se sa është numri i trupave që janë gjetur në këtë vend, më 16 nëntor. Dy ditë më vonë, Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e tyre. Se kur do të fillojë zhvarrimi “do të përcaktohet më vonë”, i është thënë Radios Evropa e Lirë nga kjo gjykatë.
Që nga viti 2001 e deri më sot, në territorin e Serbisë, në 4 lokacione janë gjetur varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.
Sipas të dhënave të Zyrës për pesona të zhdukur të UNMIK-ut, në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa. Të njëjtin vit, në Petrovo Selo, në Serbinë Lindore, janë gjetur 61 trupa. Në liqenin Peruqac, në vitin 2001, është zbuluar varrezë masive me 84 trupa.
Për herë të fundit, varrezë masive është zbuluar në vitin 2013, në Rudnicë, në jugperëndim të Serbisë, në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë. Aty janë gjetur mbetjet mortore të 52 personave.