• January 23, 2021
0 Comments

Fillon Zbatimi I Kodit Zgjedhor Për Votën E Shtetasve Jashtë Vendit

Pas ndryshimit të Kodit Zgjedhor për mundësimin e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në fletoren zyrtare është publikuar Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave për njoftimin e detyrimit për vetëdeklarim të adresës nga shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të republikës së Shqipërisë, të procedurës së plotësimit e të dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit dhe të dokumenteve shoqëruese të tij, administrimin e tyre nga autoritetet përgjegjëse, si dhe të shërbimeve të tjera që ofrojnë këto autoritete ndaj shtetasve”. Ky vendim është vazhdim i daljes së akteve në zbatim të legjislacionit të ri zgjedhor.

Është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve institucioni i cili do të vendosë për procedurat e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit është një proces i ndryshëm nga regjistrimi i shtetasve që do të shprehin vullnetin për të votuar. Ky akt administrativ synon të nxisë shtetasit shqiptare jashtë vendit të mësohen me aplikimet standarde për të drejtat e tyre në atdhe.

Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave për njoftimin e detyrimit për vetëdeklarim të adresës nga shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të republikës së Shqipërisë, të procedurës së plotësimit e të dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit dhe të dokumenteve shoqëruese të tij, administrimin e tyre nga autoritetet përgjegjëse, si dhe të shërbimeve të tjera që ofrojnë këto autoritete ndaj shtetasve” është pjesë e ndërtimit të infrastrukturës e cila do të mundësojë procesin e votimit të shtetasve jashtë vendit.

Sipas aktit të publikuar në fletoren zyrtare “deklarues” do të konsiderohet çdo shtetas shqiptar me vendbanim të përhershëm jashtë vendit, që aplikon për deklarimin e vendbanimit të tij dhe marrjen e shërbimeve të ofruara.

Shtetasit shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të aplikojnë për plotësimin e formularit tip të vetëdeklarimit nëpërmjet shërbimit elektronik në portalin e-Albania. Çdo shtetas shqiptar mban përgjegjësi administrative për mospërmbushje të detyrimit ligjor të vetëdeklarimit të adresës së tyre dhe autoritetet përgjegjëse, në rast konstatimi të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pezullojnë kryerjen e shërbimit të kërkuar, derisa shtetasi të përmbushë detyrimin ligjor të vetëdeklarimit të adresës.

Deklaruesi identifikohet në mënyrë të sigurt në portalin e-Albania, duke përdorur numrin personal në pasaportë ose në letërnjoftimin elektronik, të lëshuara nga Republika e Shqipërisë gjithashtu plotëson formularin e deklarimit të adresës me të dhënat e adresës së saktë në shtetin ku ka vendbanimin e përhershëm, për veten e tij dhe/ose edhe për anëtarët e së njëjtës certifikatë familjare, në rastin kur ata jetojnë me deklaruesin. Bashkë me formularin deklaruesi paraqet çdo dokument zyrtar, i cili provon gjeneralitetet e shtetasit dhe adresën e plotësuar në formular, të njohur nga autoritetet e vendit ku jeton.

Të dhënat e formularëve të dërguar verifikohen nga punonjësit e zyrës së gjendjes civile, nëse janë në përputhje me të dhënat e deklaruara në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Autoritetet përgjegjëse i ofrojnë shtetasit shqiptar, në adresën e vetëdeklaruar e të konfirmuar, shërbimin e gjendjes civil dhe informimin për ushtrimin e së drejtës së votës, në zbatim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Në rast ndryshimi të adresës, shtetasi deklaron adresën e re brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e lidhjes së kontratës së qirasë apo e shitblerjes së objektit të banimit, si dhe çdo dokument tjetër që provon ndryshimin e adresës.

Manualin e plote të regjistrimit mund ta lexoni këtu:

https://qbz.gov.al/eli/fz/2020/208/bee7e27a-dc54-4747-8bac-dc5ab2e05d2d

Author

admin@nacionalalbania.al