Tiranë: Dorëhiqet Sandër Lleshaj

Kryeministri Edi Rama ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pas ngjarjes së rëndë ku një punonjës policie vrau 25-vjeçarin Klodian Rasha.

Gjatë fjalimit të tij lidhur me rastin, Rama tha se ministri i Brendshëm Lleshaj i kishte paraqitur dorëheqjen që pas ngjarjes, mirëpo ai i kishte kërkuar që të mbetej në detyrë, së paku deri në kthimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“I kam thënë të më pres të kthehem sepse kam dashur ta shoh në sy, ta dëgjoj dhe të më dëgjojë e të jem bashkë me të në momentin e këtij hapi të rëndësishëm [dorëheqjes] dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjshmërisë qytetare dhe kuotën morale me të cilën e mat veten dhe detyrën e tij Sandër Lleshaj,” – u shpreh Rama duke këmbëngulur se “jo të gjithë janë njësoj” me nënkuptimin këtu se ndryshe nga qeveria para-ardhëse tashmë mbahej përgjegjësi.

Kryeministri e konsideroi vendimin e Lleshajt “si vendim të një shqiptari të mirë, i cili jep kontributin e tij për të qetësuar situatën”.

Kështu pesë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, qeveria e kryeministrit Rama detyrohet të ndryshojë ministrin e Brendshëm, kjo për herë të dytë brenda një mandati.

Lleshaj u emërua ministër më 28 nëntor 2018, një ditë pas largimit nga detyra të Fatmir Xhafajt. Ky i fundit qe vënë nën trysni nga opozita për shkak se i vëllai i rezultonte i dënuar në Itali.

Në karrierën e tij, Lleshaj deri në vitin 2013 ishte pjesë e Forcave të Armatosura me gradën madhore Gjeneral Brigade dhe Zëvendës-Shef i Shtabit të Përgjithshëm.

Në shtator të atij viti ai ishte kaluar në lirim dhe ishte angazhuar si këshilltar për sigurinë pranë kabinetit të kryeministrit Rama, pozicion të cilin e mbajti për gjashtë vite deri në momentin kur u bë ministër.

Lleshaj e nisi detyrën duke propozuar emërimin në polici të ish-ushtarakëve të dalë në lirim, propozim që nuk gjeti mbështetje as nga socialistët. Ai e justifikoi propozimin me përpjekjen e tij për të reformuar policinë, reformim që më pas e kaloi vetëm përmes procesit të vetingut.

Përmes nismave të tij qeveria ndryshoi kodin penal, kodin rrugor dhe ligjin e policisë duke i dhënë kësaj të fundit kompetenca për përgjimin dhe vëzhgimin ambiental.

Opozita e ka kritikuar shpesh për udhëzimin e policisë, kryesisht në rastet e protestave, për të përdorur gaz lotsjellës dhe sidomos për ndërhyrjen e dhunshme me forca të armatosura në rastin e shembjes së Teatrit Kombëtar.

Së fundmi Lleshaj kishte deklaruar tërheqjen nga politika aktive pas përfundimit të mandatit, ndërsa Partia Socialiste nuk e kishte përfshirë në asnjë post drejtuesi qarku apo shtabi elektoral për zgjedhjet e ardhshme.

By admin