Osmani dhe Meta dënojnë sjelljen e Serbisë, thirrje për të kërkuar ndihmë nga BE

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani gjatë konferencës së përbashkët për mediat kanë prekur disa tema të nxehta për politikën aktuale në dy vendet tona.

Znj. Osmani bëri thirrje që Kosova dhe Shqipëria të bashkëpunojnë me BE për të ndaluar “spastrimin e heshtur etnik të shqiptarëve” që Serbia po bën Preshevë.

“Kjo gjë kërkon veprim konkret nga institucionet në Shqipëri dhe Kosovë në bashkëpunim me BE, në mënyrë që Serbia të ndërpresë këto veprime”, tha znj. Osmani e cila mban aktualisht dhe detyrën e Presidentes.

Ajo theksoi se vizitën në Shqipëria e kishte nisur nga një ndalesë në Lezhë ku tha se shqiptarët kanë nevojë për “unifikim dhe bashkim” siç kërkonte Skënderbe dhe shtoi se shqiptarët gjithnjë kanë qenë në mbrojtje të civilizimit dhe vlerave evropiane.

Presidenti i Shqipërisë mbështeti propozimin për shqiptarët në Preshevë dhe gjithashtu shprehur solidaritet të plotë për rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.

“Duhet kërkuar drejtësi deri në fund. Vrasësit e vëllezërve Bytyçi jo vetëm që janë të lirë por gëzojnë mbrojtje të veçantë edhe pse ka një rezolutë të Kongresit amerikan për këtë rast. Është absurde që një vend në proces negociatash për integrimin në BE mos të respektohen disa të drejta tërësisht elementare (i referohet sjelljes së Serbisë me shqiptarët e Preshevës). Shpresoj që të ketë reflektim”, tha z. Meta.

Për çështjen e minischengen, Vjosa Osmani tha se ka ende të njëjtin qëndrim duke shtuar se ka shpresuar gjithnjë që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do ta kuptonte se një ide e tillë ishte në dëm të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kam të njëjtin qëndrim për minischengen dhe do ta përsëris edhe nesër. Shpresa ka qenë që ne ta bindim z. Rama që ky projekt nuk e favorizon Kosovën dhe as Shqipërinë. Do të kërkoj që të kemi dokumentet sepse akoma nuk e dimë se çfarë është dhe çfarë përmban kjo iniciativë”, tha kryeparlamentarja e Kosovës. (EuroNews)

By admin