Siguria dhe çmimet e ushqimeve gjatë festave të fundvitit, Radovani: Çmimet nuk janë rritur, inspektimet janë shtuar

Festat e fundvitit shtojnë dhe konsumin e ushqimeve, ndërsa rrisin dhe mundësitë e tregtimit të produkteve të pakontrolluara.

Problematika më e madhe mbetet konsumi i mishit të pakontrolluar, si dhe shitja në tregje informale.

Pamela Radovani, përgjegjëse e Informimit Publik dhe Koordinimit Ndërinstitucional në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), tha se ata janë gjithmonë në treg për inspektime por gjatë fluksit të festave monitorimi i tyre rritet.

Në një intervistë për Euronews Albania, ajo tregoi se pavarësisht qëllimit të AKU-së që fokusohet te siguria e ushqimeve, në momentin që janë në terren ata kanë një bashkëpunim të ngushtë dhe me institucionet që mbikqyrin rritjen abuzive të çmimeve gjatë festave.

Pyetur nëse institucioni i AKU-së ka marrë masa sa i takon sigurisë së mishit dhe tregtimit të gjësë së gjallë, Radovani tregoi se pavarësisht se bëjnë inspektime zyrtare në vendet ku tregtohet apo dhe në thertoret e mishit, kjo nuk është kompetencë e tyre.

“Sa i përket tregjeve të gjalla nuk është kompetencë e AKU-së por në bashkëpunim të ngushtë me gjithë institucionet bëjmë të mundur që çdo gjë të jetë e rakorduar dhe të koordinojmë me njëri tjetrin për çfarëdolloj sinjalizimi që vihet re,” – tha Radovani.

Së fundmi ajo apeloi se konsumatorët duhet të jenë të vëmendshëm për etiketimet e produkteve të cilat janë hasur si problematikë gjatë inspektimeve të fundit. (EuroNews)