Rama reagon ndaj Metës: Vetëm të paudhët si Iliri, Saliu, Luli dhe Monika mund të kërkojnë shesh për përshesh deri në det
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj qëndrime më të fundit të presidentit Ilir Meta sa i përket çështjes së Paktit Detar dhe të vendimit të marrë së fundmi për zgjerimin e me 12 milje në detin Jon.
Sipas kryeministrit Rama vendimi i Greqisë nuk ka lidhje me zonën e kontestuar dhe se “Meta vazhdon të kërkon shesh për përsheshin e LSI-së”.
“Vendimi në fjalë i Greqisë s’ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve tona, sepse në atë zonë parimi i 12 miljeve është thjesht fizikisht i pamundur sipas Konventës aty ku ky parim nuk është e mundur të zbatohet, ose bëhet marrëveshje ose shkohet në gjykatë! Ja kështu Like!”, shkruan Rama.
Presidenti Ilir Meta në një reagimin të tijin akuzonte se vendimi për ndërprerjen e bisedimeve me Greqinë për detin është bërë pa asnjë konsultim. Me anë të një statusi në Facebook, Kreu i Shtetit garanton qytetarët se nuk do të lejojë askënd të cenojë interesat e shtetit shqiptar.
“I rikujtoj edhe një herë përfaqësuesve të institucioneve në të gjithë nivelin hierarkik shtetëror, detyrimin dhe përgjegjësinë për përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre kushtetuese dhe ligjore, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare. I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e mia dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar”, deklaroi Meta.
Postimi i plotë i kryeministri Edi Rama në Tëitter:
Ilir Meta mirëkuptuaka ndjeshmërinë e qytetarëve mbi vendimin e autoriteteve greke për të ushtruar të Drejtën Ndërkombëtare të Detit për Greqinë dhe pasojat e mundshme që mund të paskërka ky vendim për vendin tonë! Në fakt jo, Ilir Meta vazhdon kërkon shesh për përsheshin e LSI!
Vetëm të paudhët si Saliu e si Iliri dhe ndjekësit e tyre me Lulin e me Monikën në krye, mund të kërkojnë shesh për përshesh deri në det, ndërkohë që e vërteta është e qartë si drita e diellit: Shqipëria dhe Greqia nuk kanë arritur asnjë marrëveshje e prandaj do shkojnë në gjyq!
Vendimi në fjalë i Greqisë s’ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve tona, sepse në atë zonë parimi i 12 miljeve është thjesht fizikisht i pamundur sipas Konventës aty ku ky parim nuk është e mundur të zbatohet, ose bëhet marrëveshje ose shkohet në gjykatë! Ja kështu Like!
Postimi i presidentit për Paktin Detar
Duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik shqiptar mbi aktin më të fundit të nxjerrë nga autoritetet më të larta të Republikës së Greqisë dhe pasojat e mundshme të tij ndaj vendit tonë, dëshiroj të evidentoj si vijon:
Në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive të mia dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr.15/2010, kam autorizuar Plotfuqinë për Negocim Nr.733, në emër të Republikës së Shqipërisë, të ekipit negociator me përbërjen e 13 anëtarëve për negocimin e “’Projekt Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare’, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve””, datë 19.03.2018.
Gjatë gjithë kohës, kam ofruar të gjithë bashkëpunimin në këtë proces, duke siguruar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Deri në këto momente, nuk kam asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare, që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe, nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare.
Për çdo zhvillim, që lidhet drejtpërdrejt apo ndikon në procesin e negociatave për delimitimin e hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, kam kërkuar informacion shterues dhe analizë të plotë të qeverisë shqiptare, sipas përgjegjësive, që i takojnë sipas ligjit.
I rikujtoj edhe një herë përfaqësuesve të institucioneve në të gjithë nivelin hierarkik shtetëror, detyrimin dhe përgjegjësinë për përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre kushtetuese dhe ligjore, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare.
I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e mia dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar.
Sipas traditës së vendosur, pasi të vihem në dijeni të plotë të informacioneve të kërkuara zyrtarisht, do të bëj plotësisht transparent vlerësimet dhe qëndrimet e mia në lidhje me të gjitha zhvillimet ndaj kësaj çështjeje (NjëKomb)