“TOK” synon ndërkombëtarizimin e artit shqiptar
Pak muzikë dhe një performancë baleti nga Vjena. Një kapërcim në Zürich te kompozitorët e huaj. Më pas bashkëpunimi midis babait dhe të bijës në Prishtinë. Një ndalesë në Koln për të recituar “Cigaren” e Fadil Krajës, dhe pastaj nga Tirana, interpretimi i veprave “Mall Bulevardi” dhe “Zemër e një gruaje”. “Burrnesha”, “Kënga e Qamiles”, “Zare”, “Nëna” vijnë nga Londra. Pak a shumë, kështu është harta e mbrëmjes kulturore-artistike “TOK për kulturën tonë!”. U vlerësua si një fillim i mbarë, për iniciativën që synon ta prezantojë artin dhe kulturën shqiptare anembanë botës. Gjithçka erdhi online, mbrëmjen e së shtunës, në platformën digjitale “TOK”.
Sipas përshkrimit në ueb-faqen e platformës “TOK”, themeluar nga organizata të ndryshme në Evropë, synimet janë që një ditë ajo të zgjerohet përtej hartës që rrumbullakon tash.
“Ne, ‘KÂ’ nga Vjena, ‘AJO’ nga Londra, ‘Marrja Zezë’ nga Berlini, ‘URACult’ nga Kölni dhe ‘Brezi Ynë’ nga Zürichu, u takuam në një panel diskutimi për kulturën në kuadër të konferencës ‘Diaspora Flet 2020’. Aty kuptuam se kemi shumëçka të përbashkët dhe shpejt lindi ideja që jo vetëm ta vazhdojmë diskutimin pas kësaj konference, por edhe të fillojmë të bashkëpunojmë. Grupit tonë iu bashkuan edhe ‘ODA’ nga Hamburgu dhe ‘Germin’ nga Prishtina/Tirana dhe kështu lindi ‘TOK’”, shkruhet aty. Përthekohet e gjithë historia e fillimit. Sqarohet se shumë pak është treguar për shqiptarët dhe se ka ardhur koha që kjo të ndryshohet. Tutje tregohet se iniciativës së tyre u janë bashkuar edhe artistë të ndryshëm. Prej tyre, të tillë që janë në fillim të karrierës, por edhe ata që tashmë janë të njohur ndërkombëtarisht.
Mbrëmja virtuale kulturore-artistike “TOK për kulturën tonë!” nisi me fjalimin hyrës të sopranos së njohur Inva Mula. Sipas saj, “TOK” është një ide e bukur e që ndoshta duhet të ishte bërë edhe më herët. Por, sipas saj, momentet e vështira i bëjnë iniciativat e tilla edhe më domethënëse.
“Kur mblidhemi së bashku, pra jemi tok, bëhemi me të fortë. E kur jemi të fortë duam që të tërheqim gjithë këtë forcë rreth vetes dhe të bëjmë diçka shumë të bukur për kulturën shqiptare të cilën e kemi trashëguar nga gjyshërit dhe baballarët tanë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se dëshira është që kultura të bëhet një urë lidhëse për të gjithë brezat.
“Të bëhet një urë lidhëse për fëmijët tanë dhe për të gjithë ata që do ta mbajnë në zemër dhe në mendjen e tyre kulturën e bukur shqiptare”, ka thënë ajo.
“TOK”- në ngjarjen e tyre të parë muzikore e letrare solli performanca të ndryshme nga Tirana, Zürichi, Vjena, Kölni, Hora e Arbëreshëve, Hamburgu, Londra, Berlini e Prishtina.
Udhëtimi artistik nisi në Vjenë me disa nga veprat me të bukura të repertorit shqiptar. Mezosoprnaoja Flaka Goranci, e shoqëruar nga pianistja Enxhi Rroji, violinistja Laura Llozi dhe çelistja Margona Komani, interpretoi veprat “Luleborë”, “Asaman trëndafili çelës” dhe “Kur më vjen burri nga stani”. Kostumet e katërshes, me motive kombëtare të realizuara nga kreatorja Flutura Dedinja, kompletonin konceptin.
Sipas Gorancit, iniciativa “TOK” është një bashkim artistesh që afron artistët mes vete dhe në të njëjtën kohë shpalos shumë bukur vlerat e kulturës shqiptare nëpër botë.
“Për mua, kjo ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Një përjetim fjalësh dhe muzikë shqipe që të bën të ndihesh sikur në shtëpinë tënde”, ka thënë ajo për KOHËN.
Nga ngjyrat e ndezura, e të ngrohta, performanca “Muzg” e balerinit Eno Peçi, bën që të kalohet në një atmosferë më të zymtë. Sipas tij, iniciativat e tilla, kur arti dhe kulturat janë të mbyllura, janë një mënyrë e mirë për të treguar që të gjithë kanë nevojë për art dhe kulturë.
“Pjesa ‘Muzg’ i përshtatet kësaj kohe, situatës që ne po përjetojmë tani. E ngrysur, e mbyllur, me dhimbje… por një dhimbje që mund të shprehet nëpërmjet kërcimit, artit. Arti nuk ka kufizime dhe është shpresë për të pasur ditë me të mira”, ka thënë ai për KOHËN.
Prej Vjenës, “TOK” kaloi në Zvicër. Aty kitaristi Vendim Thaçi luajti veprën “‘Allemande” të kompozitorit gjerman Jochan Sebastian Bach, veprën “Prèlude no. 4, Gary Ryan ‘Hot Club Francais’” të francezit Perre Lerich dhe “Milonga del Angel” të argjentinasit Astor Piazzolla. Interpretoi nga salla numër 3, në Fakultetin e Arteve në Zvicër.
Ani pse nuk solli kompozime shqiptare, ai pati një arsye për këtë. Përmes video-incizimit të tij, ka thënë se luajti vepra të kompozitorëve të njohur të lindur në vende në të cilat kanë emigruar shqiptarët ndër vite.
E nga Hamburgu, flautistja Anda Gjini dhe pianistja Aysem Bolukbasi sollën veprën “Variacione mbi një temë popullore” nga kompozitori Fehmi Brahimi. “TOK” erdhi edhe në Prishtinë.
Mjellma Istrefi, shoqëruar në kitarë nga babi i saj, Shkumbin Istrefi, solli dy këngë të saj origjinale – “Deal with it” dhe “Choose you” – si dhe coverin e këngës së njohur “Navajo” të artistit Masego dhe “Una Notte a Napoli” e luajtur në origjinal nga grupi “Pink Martini”
“Mendoj që iniciativa e ‘TOK’ është e qëlluar. Jo vetëm që bashkon artistët, por edhe promovon vlera të kulturës sonë”, ka thënë Shkumbin Istrefi për KOHËN. Ka shtuar se dyshja, dëshiron që ky projekt të ketë vazhdimësi dhe të ndodhë më shpesh.
Mbrëmja vazhdoi në Köln, aty aktori Kasem Hoxha recitoi poezinë “Cigarja” nga Fadil Kraja, ndërsa nga Hora e Arbëreshëve, regjisori Mario Caliva lexoi poezinë e vet “Flas më pak e bëj më shumë”.
“Është shumë e rëndësishme që bartësit e kulturës arbëreshe dhe shqiptare të takohen në vende virtuale gjatë pandemisë. Çdo prezantim artistik është një shpjegim i jetës dhe prandaj është pjesë e vetë jetës, sepse i jep asaj kuptim”, ka thënë ai për KOHËN.
Nga Tirana, kantautori Adhurim Demiri interpretoi veprat: “Mall bulevardi”, “Zemër e një gruaje”, ndërsa nga Berlini, Jehonë Jahaj lexoi dy poema.
“TOK për kulturën tonë!”, përfundoi me kantautoren Vjollca Robelli-Mripa, e njohur me emrin skenik “AJO”, shoqëruar në piano nga londinezi Christian Prior. “AJO”, interpretoi “Burrneshën”, “Këngën e Qamiles”, “Zaren” dhe “Nëna”, një përmbyllje e duhur nga artistja që për muzikën e saj inspirohet nga trashëgimia shqiptare. Këngët e saj me së miri e shpërfaqin jetën e shqiptarëve, zakonet dhe pasurinë kulturore. Diçka që edhe “TOK” e ka në plan që t’ia shpalosë botës.