Pikat turistike të Librazhdit ‘ftesë’ vizitorëve për t’i shijuar
Në fillimet e kristianizmit disa njerëz ia kushtuan jetën e tyre Jezu Krishtit duke imituar atë dhe shumë prej tyre duke mësuar nga fryma e shenjtë u bën eremitë. Nuk dihet mirë se kur ka mbërritur në vendin tonë ermeitët e parë të krishterë, por studiuesi Neritan Ceka në librin e tij Ilirët shkruan se disa murgj të persekutuar gjatë periudhës të sundimit të perandorit Bizantin i V u vendosën në trevat shqiptare, kryesisht në trevat e Librazhdit.
Destinacioni ynë këtë radhë është pak i pazakontë, pasi kemi ecur 30 minuta në këmbë në një shteg arritëm këtu në një shpellë eremite që është më e madhja në vend. Por nuk do të jemi vetëm këtu do zbresim dhe do vizitojmë edhe disa pika të tjera piktoreske të Librazhdit.
Koshorishti është njëri nga fshatrat e Librazhdit thuajse i braktisur, vetëm në tre shtëpi të tij banojnë ende njerëz. Dielli na bie si saç mbi kokë teksa ecim në shpatën e malit e sa më lart ngjitemi aq më tepër dëgjohet gurgullima e lumit.
Pamja që shpella ofron është mahnitëse. Albert Kaleci administrator i Fushë-Studen na shpjegon më shumë detaje rreth kësaj pikture të jashtëzakonshme të Marias dhe birit të saj Jezusit.
“Kemi të bëjmë me një pikturë murale diku 1000 vjeçare. Ajo që pasqyrohet në këtë pikturë është e ndarë në dy rrathë unazorë, po ti shikojmë kemi rrethin e vogël unazor që është piktura e Krishtit, pra në moshë të rritur. Ndërkohë në unazën e madhe është Shën Mëria, piktura e Shën Mërisë”,-tregon zoti Kaleci.
Pas shpellës së vjetër marrim rrugën për të shkuar në Librazhd dhe për ta takuar kryetarin e qytetit në juglindje të vendit Kastriot Gura, i cili na tregon detaje interesante për zonën që drejton.
“I gjithë territori I bashkisë Librazhd është në një farë mënyre atraksion turistik. Së pari ne kemi parkun Shebenik-Jabllanicë, i cili është një nga parqet më të mëdhenj në vend. Gjithashtu ne kemi lumin Shkumbin I cili përveç se bukurisë natyrore që ka këtë vit është një grup të rinjsh nga qytetit i Elbasanit kanë lundruar në të duke bërë rafting dhe nga ana tjetër ne kemi pyje të mrekullueshëm, janë pyjet e Polsit, pyjet e Dardhës etj”,-thotë kryebashkiaku.
Librazhdi është vendi ku ndahet toskëria me gegërinë dhe urë lidhëse e disa vende të tjera të Shqipërisë. Historiani Shaban Gjurra flet me shumë passion për historinë e qytetërimeve aty.
“Librazhdi si toponim është jashtëzakonisht i vjetër dhe është përmendur për herë të parë nga autorë grek Libaros që do të thotë portë e hapur. Ky është një toponim që vjen vetë nga pozicioni gjeografik i Luginës së Shkumbinit edhe nga ajo kohë dhe deri në shekullin e XV, në vitin 1467 në dokumente, në defter turk ai përmendet si një toponim në të njëjtin emër, vetëm thuhet Liburazhd me 33 familje i pozicionuar në këtë vend ku jemi sot”,- tregon për Destiancion zoti Gjurra.
Librazhdi është i pasur nga aspekti muzikor dhe etnografik.
Udhëtimit tonë i erdhi fundi dhe kulinarinë e zonës vendosëm ta provojmë në Fushë-Studen, pasi rrugës përgjatë saj do shohim dhe kullat historike të punuar prej mjeshtrave Gollobordas të asaj zone. Ato janë katër katëshe dhe kanë arkitekturë karakteristike të shekullit XVII dhe XIX. Në ato jetonin familje të mëdha deri në 60 vetë, ndërsa më I madhi në moshë drejtonte punët e përditshme.
Ju sugjerojmë të shkoni dhe vizitoni këtë atraksion turistik.
(EuroNews)