• January 23, 2021
0 Comments

Historia ushtarake shqiptare – muze dhe pjesë e guidës turistike të Tiranës

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të enjten hapjen e muzeut të ri për historinë e Forcave të Armatosura Shqiptare. Kjo qendër muzeale dhe rekreative, e vendosur në kilometrin e 15-të të rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan, do t’i ketë të ekspozuara qindra mjete ushtarake

E kaluara e Forcave të Armatosura Shqiptare do të muzealizohet me projektin e ri për qendrën e re muzeale në periferi të kryeqytetit shqiptar. Në një hapësirë prej 100 mijë metrash katrorë do të shpalosen mjete e pjesë të logjistikës së Ushtrisë shqiptare, duke filluar nga tankse, autoblinda, kamionë transportues, helikopterë e avionë
Prishtinë, 7 janar – Mjetet e rënda të Ushtrisë shqiptare mund të mos jenë më vetëm lëndë për shitje hekuri. Qindra autoblinda, kamionë transportues, tankse hijerënda, helikopterë e avionë janë bërë bashkë për të muzealizuar historinë e Forcave të Armatosura Shqiptare.

I menduar si qendër muzeale dhe rekreative për të gjitha moshat, kompleksi i vendosur në kilometrin e 15-të të rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan është cilësuar si aseti më i madh i historisë së Forcave të Armatosura.

Të enjten, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se së shpejti do t’i hapë dyert muzeu më i ri ushtarak, ku në një hapësirë brenda 100 mijë metrash katrorë do të shpërfaqen mjete e pjesë të logjistikës së Forcave të Armatosura.

Në njoftimin e afishuar në faqen e tij në “Facebook”, kreu i Qeverisë shqiptare ka bërë të ditur se muzeu do të jetë “aty ku dikur ndryshkeshin mjete të vjetra e të harruara që shiteshin për skrap nga vandalët pa kujtesë e pa shije të pushtetit të korruptuar në palcë”.

“Një mjedis muzeal unikal në periferi të kryeqytetit, me zonën e mirëfilltë muzeale e atë rekreative, ku natyra e bukur dhe hapësirat brenda objekteve do të krijojnë një pikë të re referimi për vizitorët e të gjitha moshave dhe turistët padyshim”, ka shkruar tutje Rama.

Sipas videos të afishuar mbi këtë projekt, për të cilin po vazhdojnë ende punimet, muzeu i vendosur mbi një sukë të gjelbëruar do t’i ketë të ekspozuara mjetet logjistike ushtarake. Brenda tij, gjithnjë sipas projektit, do të jenë edhe hapësirat e brendshme ekspozimi.

Deri më tani, Shqipëria ka pasur vetëm Muzeun e Forcave të Armatosura që ishte krijuar në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Në vitin 2012 ishte rindërtuar godina brenda truallit të garnizionit “Skënderbej” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, duke e kthyer atë për funksione muzeale.

Misioni i këtij muzeu, sipas përshkrimit zyrtar në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, është “evidentimi, grumbullimi, seleksionimi dhe vënia në përdorim për grupet e interesuara të vlerave edukative të trashëgimisë ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Aty janë ekspozuar 3.600 objekte me vlera muzeale, duke filluar nga armë të periudhës së Skënderbeut si topuzë origjinalë, shpata, harqe druri, imitime të heshtave prej druri, gjyle guri, e të tjera. Në pavione të tjera ka edhe pushkë me mbushje baruti nga lart, dylbi të kohës së Ali Pashë Tepelenës, pisqolla, kobure me zbukurime ari e argjendi e të tjera.

Në të vërtetë, Muzeu i Forcave të Armatosura është vetëm një nga 21 muzetë historikë në Shqipëri, krahas gjashtë muzeve arkeologjikë, dhjetë muzeve etnologjikë, shtatë muzeve të artit, gjashtë muzeve koleksionistë dhe tre muzeve të tjerë të kultit.

Me një histori që kthehet prapa në kohë me organizimet ushtarake të shteteve ilire prej shekullit të pestë para erës sonë, ushtria kombëtare do të krijohej vetëm gjashtë ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet Deralla (Tetova), ndërsa Shtabi i Përgjithshëm u krijua më 4 maj 1913 nën drejtimin e major Ali Shefqet Shkupit. Në këtë periudhë Forcat e Armatosura organizoheshin në: forcat vullnetare, rezerviste, xhandarmëria dhe forcat aktive. Ushtria në total arriti deri në 12.000 veta, e organizuar në 14 batalione me 400-500 veta.