• January 23, 2021
0 Comments

Raif Hyseni 24” shkrin meloditë shqiptare me të popujve të tjerë

“Pastaj këtë album sikur edhe ‘24 orë’ ta dëgjosh, njeriu gjithmonë gjen elemente gëzimi, qetësie, kënaqësie, sfidë, të panjohura që duhen të njihen, mallëngjim, emocione, dashuri, vuajtje dhe histori. Arsyeja tjetër është se floriri me kualitativ është floriri 24 karatësh, prandaj si emërtim i tillë unë mendoj që edhe vlerën e ka të tillë, sepse të gjithë këta muzikantë që kanë luajtur në ketë album janë 24 karatë”, ka thënë kompozitori Raif Hyseni, i cili ka bashkëpunuar me 28 artistë për albumin “Raif Hyseni 24”

Bashkëpunimi me 28 instrumentistë të tjerë nga Evropa, Amerika e Azia u jep kompozimeve të Raif Hysenit një shtrirje me të gjerë. Albumi i tij ruan frymën tradicionale, por prek edhe modernen. Gjatë dëgjimit të krijon përshtypjen se i takon një zhanri a periudhe të caktuar, por kompozimi është i tillë që çdo emërtim do ta kufizonte paskajsinë e muzikës. Albumi që nga fundjava është i qasshëm online në ueb-faqen e artistit

Në mjeshtërinë kompozuese të instrumentistit Raif Hyseni qëndron gërshetimi i thesarit të muzikës shqiptare me atë të kulturave të tjera. Albumi i tij i ri “Raif Hyseni 24” është një udhëtim në kohë përmes muzikës. Në 15 kompozimet e tij, thekson me kujdes veçoritë e muzikës shqiptare. Në një formë sikur ia bën më dije publikut për lashtësinë e muzikës shqiptare. Por nuk e lë vetëm në antikitet. Bashkëpunimi me 28 instrumentistë të tjerë nga Evropa, Amerika e Azia u jep kompozimeve të tij një shtrirje me të gjerë. Albumi ruan frymën tradicionale, por prek edhe modernen. Gjatë dëgjimit të krijon përshtypjen si i takon një zhanri a periudhe të caktuar, por kompozimi është i tillë që çdo emërtim do ta kufizonte paskajsinë e muzikës. Albumi është promovuar më 21 dhjetor përmes një ndeje në “Zoom”, për shkak të pandemisë, dhe që nga fundjava është i qasshëm online në ueb-faqen e artistit.

Brenda këtij albumi Raif Hyseni është protagonist duke luajtur mjeshtërisht në fizarmonikë. Ky instrument është epiqendër e kompozimeve. Hyseni njihet për lojën e tij në këtë instrument dhe si ambasador i denjë i prezantimit të vlerave etnomuzikore të kombit shqiptar nëpër botë. Për realizmin e albumit ka bashkëpunuar me instrumentistë të shkëlqyeshëm. Në mesin e tyre ka edhe artistë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA, e që kultivojnë në një mënyrë a tjetër muzikën shqipe, si violinisti dhe këngëtari Sunaj Saraçi nga Mitrovica, jazz kitaristi që po korr suksese të jashtëzakonshme në skenën e muzikës jazz, Taulant Mehmeti, si dhe klarinetisti i talentuar Dritëro Gjikolli nga Peja.

Hyseni ka treguar se ka disa arsye për emërtimin e albumit “Raif Hyseni 24”. E para, ka thënë së është detaji që ai ka lindur në ditën e 24-t të muajit qershor.

“Pastaj, këtë album sikur edhe ‘24 orë’ ta dëgjosh, njeriu gjithmonë gjen elemente gëzimi, qetësie, kënaqësie, sfidë, të panjohura që duhen të njihen, mallëngjim, emocione, dashuri, vuajtje dhe histori. Arsyeja tjetër është se floriri më kualitativ është floriri 24 karatësh, prandaj si emërtim i tillë unë mendoj që edhe vlerën e ka të tillë, sepse të gjithë këta muzikantë që kanë luajtur në ketë album janë 24 karatë”, ka thënë ai.

Gjatë albumit, që është 1 orë e 20 minuta muzikë, dëgjohen 24 instrumente të ndryshme. Dëgjuesi mund të përjetojë zhanrin e muzikës popullore, jazz, tango, arabesk dhe smooth jazz. Hyseni ka thënë se zhanret e ndryshme kanë pasur ndikim, por ai nuk i ka ikur origjinës së tij si shqiptar nga Kosova, që ka jetuar edhe disa vite në Maqedoni, Shqipëri, Evropë dhe tani në Amerikë.

“Për mua të gjitha instrumentalet kanë rëndësi të veçantë, është një përshkrim, udhëtim, përjetim që unë kam pasur për vite të tëra. Vetë titujt e kompozimeve të japin drejtimin se çka ka qenë qëllimi im, si për shembull ‘Kalorësi/kavalieri kosovar’, ‘Shqiptari në Japoni’, ‘Tango Tirana’, ‘Vicianum’”, ka thënë ai. Për të secila instrumentale e ka emocionin, historinë, mesazhin, dashurinë, teknikën instrumentale të saj.

“Mirëpo për ta kuptuar, shijuar, vlerësuar dhe kritikuar këtë CD album dëgjuesi duhet ta dëgjojë të tërin, sepse kur dëgjon 15 instrumentalet atëherë e sheh këtë album si një mozaik të tërë, por jo si një fotografi portret. Është sikur libri, për ta shijuar e kuptuar një libër duhet ta lexojmë të tërin, jo vetëm një kapitull”, ka thënë ai. Ka theksuar se gjithmonë në kompozimet e tij ka dhe do të ketë gjurmë të Kosovës, Shqipërisë e të çdo pëllëmbe të Ballkanik ku jetojnë shqiptarët.

Në një tekst që kompozitori Rafet Rudi ka shkruar për albumin, ai ka thënë se sa më shumë është zhytur në brendinë e albumit, kjo pamje dhe qasje (në dukje) eklektike e albumit, kjo gjeografi aq e gjerë tingullore, vinte dhe qartësohej, por njëkohësisht edhe ngushtohej në një subjekt të vetëm identifikues – kthimi në thellësinë e muzikës shqipe, meqë në të gjithë numrat e saj ndihet pandërprerë aroma e muzikës shqipe.

“Vërtet një udhëtim magjik! Së këndejmi, albumi që kemi në dorë mund të riemërtohet lehtë si ‘Pamje nga udhëtimi magjik i Raif Hysenit’”, ka thënë ai. Për akademikun Vasil Tole, natyra tingullore e këtij udhëtimi e bën Raifin të ngjashëm me bardët, rapsodët e antikitetit, të cilët me veglën në dorë krijonin dhe interpretonin muzikë aty ku i zinte nata ose dita, në vende të njohura e të panjohura, nën diell apo në shi, por nën respektin e padiskutueshëm të dëgjuesve dhe të kureshtarëve shumëgjuhësh e shumëngjyrësh.

“Pikërisht kjo ka përcaktuar edhe natyrën e krijimeve të tij, të cilat variojnë nga muzika me tharm etnik e vendlindjes e deri te pluralizmi i stileve muzikore që ai ka hasur dhe përthithur gjatë këtij udhëtimi magjik, me tingujt në shpirt e fizarmonikën në shpinë”, ka thënë ai.

E profesoresha e edukatës muzikore në “Montclair State University në New Jeresey të SHBA-së, Lisa C. DeLORENZO, ka thënë se në të gjithë albumin ndihet një kaleidoskop i kulturave që fokusohet në perkursione latine, muzikë klasike japoneze, valle të Lindjes së Mesme, në melodinë e ëmbël të xhazit dhe në ngrohtësinë e tangos argjentinase.

“Kënaqësia në dallimin e këtyre stileve del në pah nga përdorimi i kujdesshëm i ngjyrës instrumentale dhe improvizimeve magjepsëse. I mirënjohur për dhuntinë e tij si një solist virtuoz, Hyseni ka mbledhur një grup artistësh të cilët improvizojnë rrjedhshmërinë dhe veçantinë. Këta artistë të mrekullueshëm i shtojnë finesë dhe veçori dalluese koleksionit në tërësi”, ka thënë ajo.

Raif Hyseni u lind në qytetin e Mitrovicës. Herët në moshën e tij u përcaktua për të studiuar muzikën, ndërsa me pasion të veçantë përzgjodhi që të merrej me fizarmonikën. Ky instrument do të bëhej fryma e tij, jeta dhe krijimtaria e tij.

Si kompozitor, ai ka shkruar muzikë për fizarmonikë, muzikë për teatër dhe filma dokumentarë. Ka kompozuar edhe këngë.