Parandalimi i shit-blerjes së votave”, kreu i KQZ-së takim me kryediplomaten amerikane Yuri Kim
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi është takuar ditën e sotme me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Yuri Kim.
Lajmi është konfirmuar nga vetë kryekomisioneri, i cili ka zbuluar edhe temat ku u përqendrua biseda mes tyre.
Me një shënim në llogarinë zyrtare në “Twitter” z. Celibashi u shpreh se me ambasadoren e SHBA Yuri Kim ka folur për ecurinë e punës përgatitore për zgjedhjet e 25 prillit, identifikimin elektronik të zgjedhësve dhe parandalimin e shit-blerjes së votave.
“Identifikimi biometrik, votimi elektronik, lista e zgjedhësve, dokumentet e identifikimit, dekriminalizimi, masat për parandalimin e shitblerjes së votës & mashtrimit në zgjedhje, patën fokusin e diskutimit me Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim në takim e sotëm në KQZ”, shkruan Celibashi.
Ai tha se sfidë kryesore për KQZ-në është të krijojë besimi tek të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces zgjedhor.
“Së bashku me Nënkomisioneren Pleniku prezantuam ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Krijimi i besimit të të gjithë aktorëve në integritetin e procesit zgjedhor, sfidë për KQZ.”, tha Celibashi
(EuroNews)