Pajisje të reja për klorimin e ujit në rezervarin e Dibrës

Pas më shumë se tre dekadave, stacioni për klorimin e ujit në rezervarin kryesor të qytetit të Dibër u bë ndërrimi i pajisjeve të vjetra. Vendosja e pajisjeve të reja për klorim u realizua nga ana e ekspertëve, kurse financimi u bë nga Komuna Dibër me 360.000 denarë nga buxheti lokal, shkruan gazeta KOHA.

Ndërmarrja komunale publike “Stanradi”, e cila është e themeluar nga komuna, menaxhon ujësjellësin Rosok – Dibër. Kryetari i Komunës, Hekuran Duka, deklaroi se gjatë viteve të kaluara, vazhdimisht ka pasur probleme serioze në procesin e klorimit të ujit. “Këtë shqetësim e analizuam me përfaqësuesit të ndërmarrjes ‘Standardi’ dhe pas të cilit takim, urgjentisht vendosëm të sigurohen dhe të vendosen pajisjet e reja”, tha Duka. Klorimi i rregullt dhe i sigurt është krejt normale që ka një domethënie të madhe për përdorimin e sigurt të ujit.

Në ndërmarrjet komunale theksojnë se është fakt se ka patur probleme të shumta sidomos kohëve të fundit me pajisjet e vjetra për klorim. Sidomos problemet kanë ardhur në shprehje kur ka patur ndërprerje të rrymës elektrike. Vendosja e pajisjeve të reja garanton një klorim të sigurt të ujit të ujësjellësit Rosok – Dibër, nga i cili furnizohej me ujë pjesa dërmuese e Dibrës. Të theksojmë se më shumë se një javë, për shkak të turbullimit të ujit në burimin e ujësjellësit në fshatin Rosok, ka patur ndalesë për përdorimin e ujit pa filtrim, por nga dita e djeshme – uji është pastruar dhe priten edhe analizat më të reja nga Enti për shëndet publik nëse janë tejkaluar problemet me pastërtinë e ujit.

Sa i takon zonës së lartë të qytetit, ku për shkak të lartësisë nuk mund të furnizohet me ujin e rezervarit kryesor, është duke u ndërtuar një rezervuar tjetër dhe punimet janë duke u realizuar. Mjete janë siguruar dhe pritet që shumë shpejt edhe kjo zonë e Dibrës definitivisht ta tejkalojë problemin me furnizimin me ujë. (koha)