• March 7, 2021
0 Comments

Vota E Diasporës Në Diskutimet E Ambasadorëve Të OSBE Dhe BE-Së Në Tiranë

Vota e shqiptarëve jashtë vendit ka qenë një ndër temat e diskutuara në një takim online informativ të përfaqësuesit të OSBE-së në Shqipëri, Vincezo del Monaco më ambasadorë të BE-së në Tiranë dhe kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi.

“Për të lehtësuar dialogun mes aktorëve vendas dhe bashkësisë ndërkombëtare për çështjet e reformës zgjedhore, Prezenca ftoi në takim Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ai i njohu pjesëmarrësit me përgatitjet e KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve, veçanërisht lidhur me përdorimin e teknologjisë, mundësimin e votës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe vëzhgimin e rasteve për keqpërdorimin e mundshëm të burimeve njerëzore për qëllime elektorale. Ai iu përgjigj edhe pyetjeve të ambasadorëve”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të OSBE-së në Tiranë.

Celibashi foli edhe për sfidat me të cilat përballet KQZ-ja lidhur me ngritjen me vonesë të strukturës së re të KQZ-së dhe presionin mbi punën e institucionit që shkakton koha e kufizuar deri në zgjedhje.

Synimi i takimit ishte për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet lidhur me zgjedhjet kuvendore të 25 prillit. Në krah të tij ishte ambasadorja suedeze, Elsa Håstad, vendi i së cilës mban Kryesinë e Radhës të OSBE-së.

Prezenca i njohu përfaqësuesit e Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare me zhvillimet kryesore të reformës zgjedhore, si ndryshimet e Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të tjera. Po ashtu, Prezenca i informoi ata lidhur me projektet në ndihmë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe aktorëve të tjerë vendas, gjatë kohës së mbetur deri në zgjedhje.

Pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre të plotë për KQZ-në dhe nxitën Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe aktorët e tjerë që të bëjnë më të mirën për të zhvilluar zgjedhje në përputhje të plotë me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare. (DiasporaShqiptare)