• June 19, 2021
0 Comments

Media Italiane: Pse Duhet Të Investojmë Në Shqipëri?

Media italiane “Comunicati-stampa.net”, i ka kushtuar një shkrim ekonomisë së Shqipërisë dhe pse duhet të investohet dhe pse jo të zgjedhësh për të jetuar Shqipërinë.

Shkrimi përmend disa nga përfitimet në shtetin shqiptar për sa i përket politikës së tij ndaj investimeve të huaja. Më poshtë dhe shkrimi i plotë:

Shqipëria: El Dorado me 0 taksa për bizneset dhe pensionistët

Kur dëgjon të flitet për Shqipërinë, pa e parë dhe vizituar në dhjetë vitet e fundit, të kujtohet ende zbarkimi i anijes Vlora në portin e Barit në 8 gusht 1991 dhe “pushtimi” i 20 mijë shqiptarëve në Itali.

30 vite pas asaj ngjarje, Shqipëria ka kaluar shumë shpejt një rrugë që po e çon vendin drejt standardeve europiane dhe me një rritje ekonomike mesatare në 5% të PBB në 10 vitet e fundit.

Një nga gjërat që prek më shumë Shqipërinë është pikërisht mikpritja për italianët nga banorët vendas: të rinjtë janë të edukuar me respekt, rregullat respektohen dhe në rrugë dhe në autobusë.

FDI Investments, pjesë e Financial Times, së fundmi ka publikuar një raport të veçantë duke përzgjedhur destinacionet kryesore europiane ku mund të investohet gjatë periudhës 2020-2021. Në një nga këto kategori gjejmë dhe kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën.

“Kriza ekonomike financiare që kompanitë italiane po përballen prej disa vitesh e ka bërë çështjen e ndërkombëtarizimit një temë jashtëzakonisht aktuale”, thotë Roberto Laera, drejtor i grupit Italian Network që prej 15 vitesh ka mbështetur qindra kompani të huaja në ndërkombëtarizim e tyre në Ballkan, e sheh Shqipërinë si një pikë të duhur natyrore dhe gjeopolitike për kompanitë e vendit tonë.

“Afër Shqipërisë dhe një urë natyrale drejt zonës së Ballkanit dhe Evropës lindore”, vijon Laera, “Shqipëria ka një ekonomi në rritje të vazhdueshme, një treg të ri pune, dinamik dhe më pak të shtrenjtë se në vendet tona të zhvilluara”.

Për këtë arsye kompani të shumta evropiane, pensionistët dhe punëtorët e kanë kuptuar këtë, dhe sot ka më shumë se 3 mijë kompani me kapital italian të pranishëm në vendin e shqiponjave dhe rreth 20 mijë italianë që kalojnë në Shqipëri.

Në përgjithësi, një kompani italiane ka përparësi të shumta të tilla si fuqi punëtore të kualifikuar, tatim mbi fitimet që variojnë nga 0 në 15%, kostot e punës ndër më të ulëtat në Europën Lindore, marrëveshja e taksimit të dyfishtë me Italinë, niveli i arsimit mbi mesataren e BE-së, gjuha italiane që flitet nga një pjesë e madhe e popullsisë, stimuj të fortë nga FMN dhe BQE për iniciativa sipërmarrëse, prani e gjerë e bankave ndërkombëtare e italiane, një vend në një bum ekonomik të plotë me hapësirë të bollshme për investime në sektorë të ndryshëm.

Për International Trade Center “Shqipëria ka rritjen më të lartë ekonomike në Europën Juglindore dhe barrën më të ulët të taksave”.

Krahas të gjithë këtyre avantazheve, qeveria shqiptare për të përballuar krizën që po godet të gjithë botën për shkak të pandemisë ka vendosur për 2021-shin një seri stimujsh për taksat për kompanitë që variojnë nga taksa zero për fitim biznesi për ndërmarrjet me xhiro deri në 14 milionë lekë (rreth 130 mijë euro) me TVSH zero për kompanitë me një xhiro deri në 10 milionë lekë. Këto politika stimuluese u shtohen atyre të nisura tashmë në vitet e fundit për të tërhequr investime, të cilat eliminojnë taksat në sektorin e turizmit hotelier për hotelet me 4 dhe 5 yje, në sektorin agro-ushqimor, në teknologjinë e informacionit, për sipërmarrjen në agroturizëm, për kompanitë bujqësore, TVSH u ul në 6% për akomodimin dhe shërbimet hotelerie brenda objekteve turistike dhe bizneseve të agroturizmit, përveç përjashtimit total nga TVSH për importet e produteve dhe makinerive bujqësore, lëndëve të para në industrinë farmaceutike, shërbimeve veterinare, investimeve në energjinë diellore (fotovoltaike)

Për të mos përmendur fondet e vendosura nga donatorë ndërkombëtarë si BQE, FMN, BERZH, ADF, EIF, për zhvillimin e turizmit dhe agroushqimit.

Në prill të 2020, një zonë pa taksa dhe dogana u krijua gjithashtu në zonën industriale të Elbasanit, disa minuta nga Tirana, përveç krijimit të një zone të re të lirë ekonomike prej 80 hektarësh në Kashar të Tiranës, e destinuar te kompanitë e teknologjisë me përparësi të shumta ndaj kompanive që duan të zhvendosen.

Por përparësitë e lëvizjes në Shqipëri nuk rezervohen vetëm për bizneset.

Në janar 2020 qeveria miratoi detaksimin e pensioneve për të gjithë shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë dhe për të gjithë shtetasit e BE që do të lëvizin me leje të rregullt në Shqipëri.

Shumë afër Italisë, dhe jo vetëm gjeografikisht, Shqipëria po bëhet një nga destinacionet më interesante, sidomos vitet e fundit: kosto shumë e ulët qiraje, më shumë se gjysma e kostos së jetesës, plazhe të bukura dhe klimë të favorshme, dhe një komunitet italianë rezident që po rritet gjithnjë e më shumë.

Interesante apo jo? (DiasporaShqiptare)