• May 12, 2021
0 Comments

Sipërmarrësi Shqiptar Në SHBA: Pandemia Penalizoi Biznesin, Por Nuk Do Dorëzohem

Pandemia e koronavirus ka krijuar probleme për shumë biznese. Kriza ekonomike që ka shkaktuar COVID-19 ka prekur edhe sipërmarrësin shqiptar në SHBA Adrian Lakja. Gazeta “Staten Island Advanc” i ka dedikuar një shkrim Adrianit, ku tregon rrugëtimin e tij deri në hapjen e një biznesi në Amerikë.

Adrian Lakja, 42 vjeç, emigroi nga Shqipëria kur ishte 17 vjeç në drejtim të Anglisë, por ai e dinte se destinacioni i tij i përhershëm do të ishte New York. Në vitin 2018 ai realizoi ëndrrën për të pasur një restorant të tijin duke hapur “Trattoria Toscana in Great Kills”.

“Kam punuar në restorante në Europë para se të vija këtu. E kam lënë Shqipërinë kur isha 20 vjeç dhe shkova në Angli, por New York ishte gjithnjë në mendjen time si një destinacion i përhershëm”, shprehet Lakja i cili prej vitit 2001 jeton në SHBA.

Pas 17 vitesh punë në restorante të ndryshme në Manhatan dhe Staten Island, erdhi dita që ai së bashku me kushëririn e tij Jimmy Lakja dhe një Ergys Kopshti, shef kuzhine hapën Trattoria Toscana.

“Ka qenë gjithnjë ëndrra ime të hap një restorant me gatime italiane, sepse e njoh shumë mirë atë lloj gatimi”, tregon Lakja i cili në restorant ka përfshirë edhe muzikë live.

Gjërat po shkonin shumë mirë, por ai nuk e kishte menduar kurrë se një pandemi do të pengonte ëndrrën e tij.

“Gjithçka po shkonte shumë mirë deri më 17 mars… Kishim shumë prenotime në sallën e festave, ishim shumë të zënë. Njerëzit prinin rradhën për të rezervuar.”

Pas mbylljes nga pandemia Lakja tregon se tentuan të punojnë me shërbimin “delivery”, por gjërat nuk ishin njësoi.

“U mbyllëm në mars dhe më pas u rihapëm për të shërbyer në ambientet jashtë në qershor”, tregon Lakja.

Gjërat po përmirësoheshin në vjeshtë, por me mbylljen sërish në nëntor erdhi një goditje e madhe për biznesin.

Pavarësisht të gjithave Lakja thotë se nuk do të heqi dorë. “Do mundohem të jap maksimumin për të mbijetuar, ky është premtimi im për konsumatorët. Problemi kryesor është qeraja, duhet ta paguaj nga xhepi dhe kjo pjesë më shkakton shumë probleme. Do mundohem të bëj aq sa është e mundur duke mos u dorëzuar”, shprehej sipërmarrësi shqipar. (DiasporaShqiptare