• June 18, 2021
0 Comments

Si u hoq taksa e kromit/ U kërkua favor për një vit. Deputetët votuan për tre vite pa taksë

“Ngrirja e rentës minerare për 3 vite rresht ka përplasur sërish mazhorancën dhe presidentin, i cili ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “Taksat kombëtare. Drafti i Financave parashikon zerimin e kësaj takse deri në fund të vitit 2023. Ndërsa, nga viti 2024 e në vazhdim aplikimi i saj do të bëhej në masën 1/3 e normës së rentës minerare.”

Por përse deputetët e mazhorancës bënë një favorizim ekstrem, klientelisht për një grup të ngushtë të kompanish minerare.

Edhe pse komisionet parlamentare kishin miratuar heqjen e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen dhe eksportohen vetëm për vitin 2021, në seancën e 17 dhjetorit në parlament u votua varianti fillestar i Financave për 3 vjet.

Sipas relacionit, ligji synon lehtësimin e procedurave ligjore për shoqëritë që ushtrojnë veprimtari minerare në vend, që në fakt përbëjnë një numër tejet të kufizuar kompanish, me 14 të tilla.

Diçka që është përdorur si argument edhe nga kreu i shtetit Ilir Meta, i cili e quan këtë ligj klientelist që favorizon vetëm kompanitë që kanë licenca operimi dhe përmes tij përjashton degë të tjera të industrisë dhe aktivitete eksportuese që janë prekur po njësoj ose edhe më shumë nga pandemia Covid-19.

Shqetësim ky i ngritur edhe në komisionet e posaçme, ku disa prej deputetëve kanë propozuar zerimin për të gjithë sektorin, teksa deputeti socialist Vullnet Sinaj shkon më tej dhe propozon rritjen e masës 25% të kësaj takse në favor të pushtetit vendor që është edhe përfituesi kryesor i saj. Diçka që është hedhur poshtë nga Financat me argumentin se ka kosto për buxhetin e shtetit.

Heqja e kësaj takse pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 500 milionë lekë, por kreu i shtetit vlerëson se analiza nuk është kryer e plotë pasi është e kufizuar vetëm në periudhën 3-vjeçare, teksa nuk bëhen të ditura rrugët si do rikuperohen humbjet.

Sipas të dhënave të Financave të ardhurat nga renta minerare për 11-mujorin e vitit të kaluar arritën në 1.6 miliardë lekë, ekuivalente me rreth 13 milionë euro.

Zonat ku zhvillohet aktiviteti minerar janë kryesisht në bashkinë Bulqizë me kromin, ku është përqendruar edhe numri më i madh i operatorëve, ndjekur nga bashkia Klos, Dibër, Pukë, Ura Vajgurore, Tropojë, Kukës, Selenicë, Mallakastër, Librazhd, Krujë, Përrenjas, Pogradec, Skrapar etj.
(Top Channel)